27.7.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr.103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, në atë kohë drejtuese e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Trupi gjykues, gjatë verifikimit të paraqitjes së palëve, konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet bashkëshortit të saj, i paraqiti trupit gjykues kërkesën për shtyrje të seancës për shkaqe shëndetësore, bashkë me një raport mjekësor për pushim 14-ditor. Në përmbajtjen e kërkesës, që u lexua nga kryesuesja e trupit gjykues, subjekti i rivlerësimit informonte se po vlerësonte edhe mundësinë e caktimit të një përfaqësuesi ligjor për të mos u bërë shkak, sipas saj, për shtyrjen e seancave në të ardhmen, duke ftuar po ashtu trupin gjykues të mbante parasysh se muaji gusht është muaji i pushimeve vjetore për magjistratët.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e subjektit të rivlerësimit, u shpreh se ai ishte i gatshëm të vazhdonte gjykimin në çdo kohë që do ta çmonte të nevojshme trupi gjykues.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të administrojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit, bashkë me raportin mjekësor dhe ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 3.9.2020, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.