3.9.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr.103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, në atë kohë drejtuese e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në fillim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues parashtroi se seanca e radhës, e datës 27.7.2020, ishte shtyrë me kërkesë të subjektit të rivlerësimit, pas paraqitjes së një raporti mjekësor. Kryesuesja e trupit gjykues informoi, ndërkohë, se palët janë njoftuar edhe me vendimet për mospranimin e kërkesave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, për përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtareve Ina Rama dhe Natasha Mulaj.

Gjatë verifikimit të pranisë së palëve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se do të përfaqësohej në këtë gjykim edhe nëpërmjet një avokateje, anëtare e Dhomës së Avokatisë Tiranë, e cila ishte e pranishme në seancë.

Seanca vijoi më tej me parashtrimet e Komisionerit Publik, i cili në përmbushje të detyrës së lënë nga trupi gjykues, në përfundim të seancës gjyqësore të datës 17.7.2020, paraqiti qëndrimin e tij në lidhje me aktet e paraqitura në prapësimet e subjektit të rivlerësimit ndaj shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, pasi analizoi aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë prapësimeve, deklaroi se ato nuk pasqyrojnë vlerë të shtuar mbi provueshmërinë e fakteve, që përmban ankimi dhe iu qëndroi të gjithave shkaqeve të tij.

Komisioneri Publik vlerësoi se në këtë fazë të procedurës gjyqësore të apelimit, paraqitja nga ana e subjektit të rivlerësimit të kërkesave për përjashtimin e dy gjyqtareve nga trupi gjykues, duhet konsideruar një përpjekje për të vonuar seancën dhe procesin e saj të rivlerësimit, sjellje e cila, sipas tij, duhet të merret parasysh nga Kolegji në vlerësimin etiko-profesional dhe atë të përgjithshëm të subjektit të rivlerësimit.

Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë parashtrimit të prapësimeve të saj ndaj ankimit të Komisionerit Publik.

Bazuar në kërkesën e avokates së subjektit të rivlerësimit, e cila kërkoi kohë për t’u njohur me provat e administruara, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, si dhe parashtrimet e Komisionerit Publik mbi fuqinë provuese të tyre, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.9.2020, ora 10.00, duke i ftuar njëkohësisht palët që të përgatiten për depozitimin e bisedimeve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF