18.9.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr.103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, në atë kohë drejtuese e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në këtë seancë gjyqësore, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën bisedimet e tyre përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të tij, në seancat gjyqësore të mëparshme, kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 103, datë 5.2.2019,  të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, bazuar në përmbajtjen e pikave 3 dhe 5, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore, në bisedimet përfundimtare, duke iu përmbajtur prapësimeve dhe parashtrimeve të paraqitura në seancat e mëparshme, kundërshtuan të gjitha shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të znj. Donika Prela.

Pasi dëgjoi dhe administroi bisedimet përfundimtare të palëve pjesëmarrëse në gjykim, trupi gjykues njoftoi se vendimi do të shpallet në seancën e datës 25.9.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF