6.10.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, prokuror/në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit, Shkodër.

Kryesuesja e trupit gjykues, pas verifikimit të prezencës së palëve, njoftoi se, krahas ankimit të Komisionerit Publik, do të shqyrtohej edhe ankimi i vetë subjektit të rivlerësimit, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për pezullimin e përkohshëm nga detyra, për shkak të mangësive të konstatuara në aftësitë profesionale.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë parashtrimeve të ankimit të tij, kundërshtoi gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për aftësitë profesionale dhe kërkoi të rihetohet për këtë kriter. Ai ngriti pretendime edhe për bazën ligjore të ankimit, të kryer nga Komisioneri Publik, gjatë parashtrimit të kundërankimit.

Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, dha opinionin e tij rreth ankimit të subjektit të rivlerësimit, kryesisht për masën disiplinore, duke e cilësuar atë si të marrë në interpretim të gabuar të aneksit të Kushtetutës. Në vijim të parashtrimeve të ankimit të tij, Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha gjetjeve dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të riçelë hetimin dhe, në përfundim të tij, të vendosë për ndryshimin e vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Elvin Gokaj.

Subjekti i rivlerësimit, përmes avokates, i prapësoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe  kërkoi të depozitojë prova shtesë.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe shqyrtimin në të njëjtin proces të të dy ankimeve të sipërcituara, si dhe administroi, në cilësinë e provave të reja, vetëm dy prej akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Seanca e radhës do të mbahet më 21.10.2020, ora 10:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF