Komisionerët Publikë morën pjesë në takimin e përbashkët që Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Bashkimin Europian, z. Oliver Varhelyi, dhe Drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, znj. Genoveva Ruiz Calavera, mbajtën në Tiranë me përfaqësuesit e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Bashkimin Europian, z. Oliver Varhelyi, vlerësoi ecurinë e procesit të Vettingut dhe rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për vazhdimësinë e kësaj reforme kyçe, që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian.

Drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, znj. Genoveva Ruiz Calavera, e cilësoi të rëndësishëm takimin e Komisionerit të BE-së me institucionet e Vettingut dhe kërkoi që procesi i rivlerësimit të vazhdojë me të njëjtin dedikim dhe profesionalizëm, për të siguruar që Reforma në Drejtësi të japë më të mirën për popullin shqiptar. Znj. Calavera kërkoi të ndalen sulmet e padrejta ndaj procesit të Vettingut.

Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF