2.11.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, prokuror/në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit, Shkodër.

Komisioneri Publik, gjatë parashtrimeve të tij, lidhur me provueshmërinë e akteve të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, vlerësoi se ato përmbushin kërkesat formale për administrim, por nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Duke u referuar akteve të sipërcituara, Komisioneri Publik deklaroi se: subjekti i rivlerësimit nuk arriti të justifikojë veprimet dhe përfitimet nga llogaritë bankare, si dhe të argumentojë bindshëm mosdeklarimet e llogarive dyemërore të analizuara në ankim.

Komisioneri Publik, i pyetur nga relatorja e trupit gjykues, për një nga shkaqet e ankimit që lidhet me diferencën negative në zërat: “Shpenzime dhe kursime të subjektit të rivlerësimit dhe të bashkëshortes së tij për periudhën 2010 – 2016”, rikonfirmoi se u qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit dhe se në seancën e sotme kërkoi nga subjekti të shpjegohej për veprimet e kryera në llogaritë e marra në analizë gjatë ankimit.

Kryesuesja e seancës njoftoi, në përfundim të saj, se trupi gjykues ka nevojë për një qartësi të shkaqeve të ankimit, të cilave u qëndron ekzaktësisht Komisioneri Publik, si dhe argumenteve të tij, në lidhje me to, duke i kërkuar t’i paraqesë me shkrim, pa bërë një dallim ndërmjet shkaqeve të cilat i konsideron shkaqe të rendësishme apo të parëndësishme, pasi për Kolegjin nuk mund të ketë një ndarje të tillë ndërmjet shkaqeve të ankimit, për sa kohë ato janë në ankim.

Në funksion të paraqitjes sa më të plotë të shkaqeve të ankimit, trupi gjykues i kërkoi Komisionerit Publik të paraqesë analizën financiare për pasurinë: “Apartament në Durrës”, si dhe llogaritë dyemërore të bashkëshortes, nënës së saj dhe prinderve të subjektit të rivlerësimit. Trupi gjykues kërkoi që këto kërkesa të gjykatës Komisioneri Publik t’i paraqesë pranë Kolegjit, deri në datën 4.11.2020, ora 15:00, me qëllim që më tej t’i bëhen të ditura subjektit të rivlerësimit.

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 6.11.2020, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF