6.11.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, prokuror/në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit, Shkodër.

Në nisje të seancës, kryesuesja e trupit gjykues konfirmoi se janë njohur me parashtrimet dhe analizën financiare të Komisionerit Publik, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, sipas kërkesave të përcaktuara në vendimin e ndërmjetëm të seancës së shkuar dhe se, më pas, ia kanë bërë të njohura edhe subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik rikonfirmoi në seancë se u qëndron të gjitha shkaqeve të ankimit, të pasqyruara në korrespondencën me Kolegjin, sipas referimeve të vendimit të ndërmjetëm për paraqitjen me shkrim të shkaqeve të ankimit dhe të analizës financiare për pasurinë: “Apartament në Durrës”, si dhe llogaritë dyemërore të bashkëshortes, nënës së saj dhe prindërve të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit, pasi konfirmoi se është vënë në dijeni nga Kolegji për përmbajtjen e parashtrimeve dhe të analizës financiare të Komisionerit Publik, i kundërshtoi gjetjet, me pretendimet e paraqitura nga përfaqësuesja e tij ligjore.

Pas pyetje-përgjigjeve të adresuara nga relatorja e çështjes, Komisioneri Publik dhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u shpreh se është i paqartë lidhur me shkaqet e ankimit, të paraqitura nga Komisioneri Publik dhe, në funksion të qartësimit të tyre,  posaçërisht për : “Depozitat dyemërore”, kërkoi nga Komisioneri Publik që, deri më datë 9.11.2020, ora 15:00, të paraqesë pranë Kolegjit analizën financiare për mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të bashkëshortes së tij, lidhur me pretendimin për mungesë burimesh për krijimin e depozitave dyemërore.

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 11.11.2020, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF