12.11.2020 

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 286, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Genti Shala, magjistrat/gjyqtar, Gjykata e Apelit Tiranë.

Mbështetur dhe në rekomandimin e Komisionit prej tre vëzhguesish ndërkombëtarë të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 286, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjykojë shkaqet përkatëse të shqyrtimit të këtij ankimi, të pranojë kërkesën për hetim të mëtejshëm dhe në varësi të rezultateve të hetimit gjyqësor, të vendosë lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të lartpërmendur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe rekomandimi i ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF