13.1.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 249, datë 6.3.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Piro Samara, me detyrë Inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kryesuesja e trupit gjykues, gjatë verifikimit të prezencës së palëve, konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin informoi se, edhe pse ishte njoftuar mbi zhvillimin e seancës gjyqësore sipas procedurave ligjore, nuk kishte konfirmuar pjesëmarrjen në asnjë nga komunikimet elektronike. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi zhvillimin e seancës në mungesë të tij dhe i kërkoi Komisionerit Publik të parashtronte shkaqet e ankimit.
Komisioneri Publik, gjatë parashtrimeve, u qëndroi shkaqeve dhe kërkimit të ankimit për ndryshim të vendimit nr. 249/2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Piro Samara, me argumentet se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka identifikuar dhe vlerësuar drejt faktet dhe rrethanat ligjore, në zbatim të plotë të dispozitës së nenit G të aneksit të Kushtetutës dhe orientimeve të dhëna në vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar, vendosi:
Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 249, datë 6.3.2020, si më poshtë:
1. Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Piro Samara, me detyrë Inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Të deklarojë humbjen e të drejtës së subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
3. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.1.2021.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF