17.3.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, njoftoi përbërjen e re të trupit gjykues dhe konfirmoi me palët në proces njohjen e tyre me denoncimet nga publiku, të depozituara rishtazi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Komisioneri Publik, në parashtrim të ankimit, iu qëndroi të gjitha shkaqeve dhe argumentoi për secilin prej tyre nevojën për një rivlerësim në tërësi të çështjes nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, prapësoi të gjitha shkaqet e ankimit, me pretendimet se është vlerësuar drejt në tri kriteret e rivlerësimit dhe i cilësoi të pabazuara edhe pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku. Në përfundim të mbrojtjes së tij, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues të administrojë në cilësinë e provës aktet e referuara prej tij në seancën gjyqësore.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës për qëndrimin e tij, kërkoi kohën e nevojshme për t’u njohur me përmbajtjen e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe prapësimet për denoncimet nga publiku.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, me qëllim për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për të dhënë qëndrimin e tij për denoncimet nga publiku, të depozituara pranë Kolegjit, si dhe për përmbajtjen e akteve të reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, vendosi ta shtyjë seancën më datë 1.4.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.