18.3.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.
Komisioneri Publik, në parashtrim të ankimit, iu qëndroi gjetjeve të tij dhe bazuar edhe në konstatimet e rekomandimit të ONM-së për të ushtruar ankim, vlerësoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, nuk përputhet me juridiksionin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me interpretimin e dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016. Komisioneri Publik i qëndroi kërkimit të ankimit për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cenim të besimit të publikut.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin në funksion të tij, të disa akteve, të referuara në seancë.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës për qëndrimin e tij rreth kërkesës së subjektit të rivlerësimit, për riçeljen e hetimit gjyqësor, parashtroi se në rastin konkret në ankim nuk është kërkuar nga Kolegji hetim i mëtejshëm, por se nuk do të kishte kundërshtime nëse trupi gjykues do të vendoste rishqyrtimin gjyqësor të çështjes.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, pranoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke pranuar administrimin e një pjese të akteve, të dorëzuara në seancë nga subjekti i rivlerësimit. Ndërkohë, për pjesën tjetër të akteve, të cilat kryesisht ishin lëshuar nga institucione të administratës shtetërore të vendeve të huaja, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit, për t’i paraqitur në formën e kërkuar nga ligji, vendosi ta shtyjë seancën për në datën 13.4.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.