30.3.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, mbi pyetjen e kryesuesit të seancës, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kërkoi fillimisht që trupi gjykues të shprehej për kërkesën e paraqitur me objekt mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik, si të paraqitur jashtë afateve ligjore.

Pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, i cili parashtroi se pretendimet e subjektit të rivlerësimit për afatet e ankimit, duke qenë pjesë e kundërankimit, duhet të shqyrtoheshin në kuadrin e prapësimeve për shkaqet e ankimit të paraqitur, trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi. Pas kthimit në seancë, trupi gjykues komunikoi vendimin e ndërmjetëm, për refuzimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit dhe trajtimin e saj si pjesë të prapësimeve të ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik.

Në vijim të procesit gjyqësor, Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjithë shkaqeve të ankimit, parashtroi argumentet ligjore dhe provuese përkatëse, duke kërkuar, në përfundim, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit, në vijim parashtroi pretendimet në lidhje me respektimin e afateve për ushtrimin e ankimit dhe prapësimet e ankimit.

Në vijim të seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit parashtroi pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku, lidhur me kriteret e figurës dhe të aftësive profesionale dhe, duke dorëzuar para trupit gjykues akte shtesë, kërkoi administrimin e tyre.

Trupi gjykues, në mbyllje të seancës, iu vuri në dispozicion palëve disa denoncimeve të reja të publikut për subjektin e rivlerësimit, të depozituara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, për t’iu dhënë palëve kohën e mjaftueshme për t’u njohur me këto akte, vendosi shtyrjen e seancës më datë 1.4.2021, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF