1.4.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Kryesuesi i seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, kërkoi qartësime nga subjekti i rivlerësimit lidhur me disa akte, të dorëzuara në seancën e mëparshme.

Në vijim të procesit gjyqësor, Komisioneri Publik paraqiti parashtrimet për kundërankimin e subjektit të rivlerësimit mbi afatet ligjore të ushtrimit të ankimit.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, se në ankim nuk ka kërkuar hetim të mëtejshëm, kryesisht, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës, aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit. Me qëllim që palët të kenë në dispozicion kohë të mjaftueshme për qëndrimet lidhur me provueshmërinë e akteve të administruara dhe denoncimet e publikut, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën më datë 19.4.2021, ora 11:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF