1.4.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, i ftoi ata në parashtrimin e qëndrimeve, sipas vendimit të ndërmjetëm, të seancës së shkuar.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, rreth provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, argumentoi se ato nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Komisioneri Publik, krahas shkaqeve të ankimit, kërkoi të hetohen edhe denoncimet nga publiku, duke vlerësuar se pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbi këto denoncime nuk janë bindëse dhe shteruese.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, kërkoi që qëndrimin e tij lidhur me parashtrimet e Komisionerit Publik, t’i paraqiste në seancën e radhës dhe dorëzoi prova të reja për administrim.

Pasi dëgjoi parashtrimin e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi:

– Të deklarojë të hapur hetimin gjyqësor të çështjes, në bazë të nenit F, pika 3 e aneksit të Kushtetutës, dhe nenit 45 të ligjit nr. 84/2016.

– Të hetojë dhe verifikojë, në zbatim të nenit 53 të ligjit nr. 84/2016, disa prej denoncimeve të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

– Të lejojë marrjen e provave të reja, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në seancën gjyqësore të datës 17 mars 2021 dhe në seancën e sotme, datë 1 prill 2021.

– Të kërkojë informacione shtesë dhe informacione shpjeguese nga: Gjykata e Lartë, Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Zyra Tiranë, Banka Intesa San Paolo.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se seanca e ardhshme gjyqësore publike do të zhvillohet më datë 28.4.2021, ora 10:00, dhe se Kolegji do të bëjë me dije palët në proces lidhur me komunikimet e mëtejshme me institucionet e sipërcituara.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF