13.4.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit i paraqiti trupit gjykues aktet e siguruara me vulë apostile, që u rikthyen në seancën e mëparshme, për shkak se nuk ishin në formën e duhur ligjore dhe kërkoi kohë për të siguruar edhe një dokument të fundit nga autoritetet greke, që po vonohej për shkak të protokolleve të pandemisë, në Republikën e Greqisë.

Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës, për mundësinë për të dhënë qëndrimin e tij rreth vlerës provuese të akteve të depozituara në seancën e mëparshme, solli në vëmendjen e trupit gjykues se hetimi gjyqësor ishte vendosur të kryhej mbi kërkesën e subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se, në përfundim të seancës së kaluar, trupi gjykues kishte administruar disa prej akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, të cilat nuk ishin përcjellë në rrugë procedurale pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe për përmbajtjen e të cilave nuk i ishte lënë detyrë për t’u shprehur.

Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi administrimin e provave të reja të paraqitura në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit dhe, për t’i lënë kohë Komisionerit Publik për vlerësimin e provueshmërisë së tyre, si dhe subjektit të rivlerësimit, për të paraqitur, në formën e kërkuar nga ligji, të dokumentit pranë autoriteteve përkatëse greke, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore më datë 22.4.2021, ora 10:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF