28.4.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Kryesuesja e seancës, pas konfirmimit të palëve, se ishin njohur me aktet e dërguara nga institucionet, sipas kërkesës së Kolegjit, njoftoi se trupi gjykues, për efekt të gjykimit, ka vendosur administrimin e tyre dhe kërkoi nga palët të parashtronin qëndrimet rreth provueshmërisë.
Në vijim, palët pjesëmarrëse në proces shprehën qëndrimin e tyre në lidhje me aktet e administruara nga gjykata, pas çeljes së hetimit gjyqësor.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi palët, vendosi të kërkojë pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor një akt shtesë dhe i la detyrë subjektit të rivlerësimit të sigurojë dokumentin bankar, të pretenduar në prapësimet e tij. Në pritje të administrimit të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 19.5.2021, ora 10:00, gjatë së cilës palët do të përgatiten edhe për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.