29.4.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin lidhur me provueshmërinë e akteve të reja, që u administruan në seancën e mëparshme.
Në vijim, me kërkesë të trupit gjykues, Komisioneri Publik paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe kërkimit të tij për ndryshimin e vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artan Madani.
Subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij, në parashtrimet përfundimtare, mbajtën të njëjtin qëndrim, si në prapësimet e ankimit dhe kërkuan nga Kolegji rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pasi u njoh me parashtrimet përfundimtare të palëve, vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 12.5.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.