11.5.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Kryesuesi i trupit gjykues, pasi verifikoi prezencën e palëve, informoi për aktet e dërguara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dy prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, Shkodër dhe Fier, në funksion të hetimit të çelur për dy denoncime, lidhur me faktin nëse subjekti i rivlerësimit ka pasur ndonjë rol në çështjet penale, të referuara nga denoncuesit.

Pasi informoi se një pjesë e akteve kishin mbërritur në orët e vona të ditës së djeshme dhe, si rrjedhojë, Komisioneri Publik ishte njoftuar sot në mëngjes, ndërsa subjekti i rivlerësimit u njoh gjatë seancës, kryesuesi i trupit gjykues kërkoi nga palët, fillimisht, qëndrim lidhur me anën formale të dokumentacionit.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, rreth praktikave të mësipërme, të referuara nga Kolegji, nuk pati komente për anën formale, ndërsa lidhur me përmbajtjen konstatoi se informacioni nuk ishte shterues, duke marrë në konsideratë kërkesat e përsëritura të trupit gjykues për akte shtesë, që u parashtruan në seancën e sotme.

Subjekti i rivlerësimit nga ana e tij paraqiti një qëndrim për përmbajtjen e akteve, me aq sa ishte njohur, duke sqaruar pozicionin e tij, në raport me çështjet e referuara në dy denoncimet, që u morën në hetim nga Kolegji, duke dorëzuar edhe vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, të datës 19.11.2018.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi administrimin në cilësinë e provës të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, të paraqitur në seancë dhe, në vijim të hetimit gjyqësor lidhur me këtë çështje, vendosi të kërkojë kopje të akteve procedurale pranë: Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe Gjykatës së Apelit Vlorë.

Për të administruar aktet e mësipërme nga institucionet përkatëse, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 27.5.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF