27.5.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Kryesuesi i trupit gjykues, pas verifikimit të pranisë së palëve pjesëmarrësve në gjykim, njoftoi se atyre u janë përcjellë aktet e dërguara nga institucionet përkatëse, në funksion të hetimit të çelur kryesisht nga Kolegji, për dy denoncime, duke i listuar këto akte, si dhe informoi rreth një tjetër denoncimi, që ishte depozituar pranë Kolegjit.
Trupi gjykues, pas administrimit në cilësinë e provës të akteve shkresore, të dërguara nga institucionet, kërkoi qëndrimin mbi përmbajtjen e tyre nga ana e Komisionerit Publik dhe e subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik, në vijim, paraqiti parashtrimet e tij mbi përmbajtjen e akteve, që lidheshin me dy denoncimet, për të cilat Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka çelur hetimin gjyqësor, duke iu qëndruar shkaqeve dhe kërkimit të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit parashtroi qëndrimin e tij në lidhje me përmbajtjen e akteve të përcjella nga institucionet, si dhe prapësoi parashtrimet e Komisionerit Publik mbi to.
Trupi gjykues, pasi palët konfirmuan se nuk kishin kërkime të tjera, mbylli hetimin gjyqësor dhe i ftoi në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, më datë 1.6.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.