31.5.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Selita, me detyrë gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, bëri me dije se, pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor në seancën e datës 19.5.2021 dhe u tërhoq për vendimmarrje lidhur me çështjen, gjatë bisedimeve, bazuar në nenin 315 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 50 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm të datës 19.5.2021, për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë atë, për t’i kërkuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:
– informacion nëse në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të legjislacionit në fuqi ndër vite, janë tatuar dhe a tatohen shumat monetare, të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit.
Sapo trupi gjykues të ketë marrë këtë informacion nga institucionet e mësipërme, do t’ua përcjellë palëve në gjykim, sipas rregullave procedurale.
Në pritje të këtij dokumentacioni shtesë, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 17.6.2021, ora 9:00. Në këtë seancë, palët do të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me dokumentacionin e ri, nëse do t’u jetë vënë në dispozicion, paraprakisht, nga Kolegji.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.