1.6.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Anton Martini, prokuror i komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Kryesuesi i trupit gjykues, pas verifikimit të pranisë së palëve pjesëmarrësve në gjykim, ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në parashtrim të bisedimeve përfundimtare, duke u qëndruar shkaqeve të ankimit dhe përmbajtjes së parashtrimeve me shkrim, të paraqitura gjatë gjykimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Anton Martini.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, fillimisht, përsëriti argumentet për mospranimin e ankimit, si të paraqitur në tejkalim të afateve ligjore. Në vijim, në bisedimet e tij përfundimtare, përfaqësuesi ligjor u qëndroi prapësimeve të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik. Ndërkohë, vetë subjekti i rivlerësimit kundërshtoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe kërkoi, përfundimisht, lënien në fuqi të vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për të shpallur vendimin, në seancën që do të mbahet më datë 10.6.2021, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF