6.7.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues informoi se vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte njoftuar pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në seancë për arsye shëndetësore, duke kërkuar në të njëjtën kohë zhvillimin e saj në një ditë tjetër.
Në këto rrethana, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 8.7.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.