21.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.

Në fillim të seancës, kryesuesja e trupit gjykues njoftoi palët pjesëmarrëse në proces se, bazuar në vendimin e ndërmjetëm të marrë në përfundim të seancës së mëparshme, trupi gjykues kishte verifikuar në burim informacionin nga autoriteti informues i DSIK-së, si dhe kishte administruar përgjigjen në lidhje me statusin aktual të trajtimit të informacionit nga struktura përkatëse. Po ashtu, kryesuesja e trupit gjykues bëri të njohur depozitimin e një ankese në lidhje me subjektin e rivlerësimit, e cila u ishte përcjellë palëve pjesëmarrëse në proces.

Mbi pyetjen e kryesueses së trupit gjykues, Komisioneri Publik konfirmoi njohjen me përmbajtjen e aktit të përcjellë nga struktura përkatëse në lidhje me statusin aktual të trajtimit të informacionit dhe parashtroi mungesën e informacionit në lidhje me këqyrjen e të dhënave në burim nga ana e trupit gjykues, në mungesë të përcjelljes së procesverbalit përkatës. Bazuar në të dhënat e denoncimit të përcjellë rishtazi, Komisioneri Publik parashtroi se nuk konstatohet rol procedural i subjektit të rivlerësimit në çështjen përkatëse.

Nga ana e subjektit të rivlerësimit u pretendua e kundërta e përmbajtjes së denoncimit, duke nënvizuar rolin aktiv të organit procedues në gjykimin e çështjes përkatëse dhe, në mbështetje të këtij pretendimi, u kërkua administrimi i një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

Pasi u tërhoq për vendim, trupi gjykues vendosi t’u vinte në dispozicion palëve kopje të vërtetuar të procesverbalit të mbajtur nga trupi gjykues gjatë njohjes në burim me informacionin e përcjellë në DSIK. Mbi pyetjen e trupit gjykues për vijimin e gjykimit, Komisioneri Publik u shpreh se, nga përmbajtja e raportit të përditësuar të DSIK-së, procesverbalit të mbajtur nga trupi gjykues dhe aktit të përcjellë nga struktura përkatëse për statusin aktual të trajtimit të informacionit, për shkak të natyrës konfidenciale/sekret të informacionit që ata kanë, nuk ishte e mundur të identifikoheshin rrethana fakti ose juridike, të tilla që të legjitimonin kërkimin nga Komisioneri Publik të hetimit të mëtejshëm. Komisioneri Publik nënvizoi se, bazuar në dispozitat e aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, gjatë procesit të rivlerësimit, provat mund të kërkohen dhe të administrohen vetëm nga ana e Komisionit dhe e Kolegjit. Nisur nga kjo situatë procedurale, Komisioneri Publik e la në çmimin e trupit gjykues nevojën për hetim të mëtejshëm. Edhe përfaqësuesi i subjektit të rivlerësimit, duke parashtruar të njëjtat argumente ligjore, e la në çmim të trupit gjykues nevojën e hetimit të mëtejshëm.

Pasi u tërhoq për vendim, trupi gjykues vendosi të kërkojë njohjen e Komisionerit Publik me informacionin në burim pranë autoritetit informues dhe, për këtë qëllim, e shtyu seancën në datën 30.7.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF