26.7.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues komunikoi përgjigjet e mbërritura nga institucionet e referuara në vendimin e ndërmjetëm të seancës paraardhëse, duke veçuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, e cila nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Kolegjit, si dhe tri denoncimet e depozituara në Kolegj.
Pasi palët konfirmuan njohjen me aktet e sipërcituara, trupi gjykues kërkoi qëndrimin e tyre për administrimin në funksion të hetimit gjyqësor. Komisioneri Publik vlerësoi se aktet plotësonin kriteret ligjore për t’u administruar, ndërsa subjekti i rivlerësimit pretendoi se informacioni i dërguar nga shoqëria e ndërtimit ishte i falsifikuar dhe njoftoi trupin gjykues se, paralelisht me depozitimin në autoritetet përkatëse të një kallëzimi penal për falsifikim të dokumenteve, kishte kryer ekzaminime, për të vërtetuar pretendimet e tij për falsifikim të dokumentacionit. Në vijim, subjekti i rivlerësimit i referoi trupit gjykues aktet e siguruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë, duke ngritur si pretendim se, eventualisht, ky institucion mund të kishte bllokuar qëllimisht informacionin për Kolegjin. Subjekti i rivlerësimit prapësoi edhe pretendimet e ngritura në denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj dhe i kërkoi trupit gjykues administrimin e provave shtesë.
Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e përcjella nga institucionet, denoncimet e reja, si dhe provat shtesë të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, bashkë me informacionin e siguruar nga ai në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë.
Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit për aktet e administruara, bazuar në vendimin e ndërmjetëm të seancës paraardhëse.
Komisioneri Publik parashtroi se, në gjendjen që janë aktet e administruara nga trupi gjykues, shoqëria e ndërtimit ka konfirmuar marrëdhënien e porosisë me subjektin e rivlerësimit për një pasuri të paluajtshme në qytetin e Vlorës, marrëdhënie e revokuar në vijim mes palëve, duke kthyer shoqëria në fjalë vlerat e paguara, sipas mandat-arkëtimeve përkatëse. Referuar informacionit të përcjellë nga ILDKPKI-ja, Komisioneri Publik vlerësoi se në të nuk gjejnë mbështetje pretendimet e subjektit të rivlerësimit në kundërankimin e tij dhe në parashtrimet e bëra në seancë.
Komisioneri Publik referoi edhe përmbajtjen e denoncimeve të reja të depozituara pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të pretendimeve të ngritura në denoncimet nga publiku, ripërsëriti qëndrimin e tij, duke i konsideruar si informacione të sajuara, me qëllim dëmtimin e procesit të nisur ndaj tij dhe, pas pyetjeve të relatores së çështjes dhe mbi pyetjen e trupit gjykues mbi marrëdhënien me përfaqësuesin ligjor të shoqërisë së ndërtimit, kërkoi të relatonte rrethana gjatë seancës gjyqësore me dyer të mbyllura.
Lidhur me këtë kërkesë, trupi gjykues rezervoi të drejtën të shprehej në një moment të dytë, pasi të kishte kryer veprimet procedurale dhe, në vijim, vendosi:
- T’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë Vendore Vlorë, bazuar në nenin 50 të ligjit nr. 84/2016, arsyen e mungesës së bashkëpunimit me Kolegjin, në përcjelljen e akteve të kërkuara për efekt të hetimit gjyqësor.
- Të thërrasë, në cilësinë e dëshmitarit, shtetasin *** *** administratori i shoqërisë së ndërtimit.
- Të urdhërojë shtetasin *** *** të paraqesë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, aktet origjinale të kontratave, të kërkuara nga Kolegji.
Për t’u kryer këto veprime, seanca e radhës u shty në datën 9.9.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.