8.9.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues ftoi Komisionerin Publik të bënte të njohur hapat e ndërmarrë për zbatimin e vendimit të marrë në përfundim të seancës paraardhëse, në lidhje me njohjen në burim me të dhënat e autoritetit informues.
Komisioneri Publik informoi trupin gjykues se, me ndërmjetësimin e Vëzhguesit Ndërkombëtar dhe në praninë e tij, i ishte mundësuar takimi me autoritetin informues. Komisioneri Publik parashtroi se, bazuar në interpretimin ligjor të autoritetit informues, nuk i ishte mundësuar njohja në burim me të dhënat përkatëse.
Në vijim, Vëzhguesi Ndërkombëtar i konfirmoi trupit gjykues parashtrimin e Komisionerit Publik, në lidhje me procedurën e ndjekur në zbatim të vendimit të seancës paraardhëse dhe me qëndrimin e përfaqësuesve të autoritetit informues.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, i cili, edhe në seancën e sotme, ritheksoi se mbetet në çmimin e trupit gjykues nevoja eventuale për hetim të mëtejshëm, bazuar në të dhënat e autoritetit informues, të cilat kanë shërbyer për hartimin e raportit të vlerësimit të figurës për subjektin e rivlerësimit, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 14.9.2021, ora 14:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.