14.9.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, vlerësoi se, referuar analizës së provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe provave/akteve të administruara gjatë gjykimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në vlerësimin tërësor të çështjes, subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Duke i qëndruar kërkimit të tij në ankim, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 183, datë 19.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Petrit Çano, prokuror/Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë.
Subjekti i rivlerësimit, edhe përmes përfaqësuesit ligjor, pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare, u tërhoq për vendimmarrje, të cilën do ta shpallë në seancën e datës 21.9.2021, ora 15:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.