16.9.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Shkëlqim Miri, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës, pasi konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, informoi gjithashtu pamundësinë për të marrë pjesë në seancë të relatores së çështjes.
Duke referuar vendimin e ndërmjetëm të seancës paraardhëse, kryesuesi i seancës deklaroi se, për arsye objektive shëndetësore, relatorja e çështjes nuk mori pjesë në këtë fazë procedurale, dhe se, në këto kushte, trupi gjykues nuk mund të merrte vendimin përfundimtar, që ishte njoftuar të shpallej gjatë seancës së sotme.
Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi që të ritërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në seancën gjyqësore publike të datës 7.10.2021, në ora 12:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.