4.10.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin bëri me dije se, përmes korrespondencës elektronike, kishte konfirmuar marrjen e njoftimit për seancën.
Në këto kushte, trupi gjykues, vendosi vijimin e shqyrtimit gjyqësor në mungesë të subjektit të rivlerësimit, duke ftuar Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Komisioneri Publik iu qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe kërkoi nga trupi gjykues të vendosë prishjen e vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, dhe të urdhërojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Ibrahim Hoxha.
Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes, të lidhura kryesisht me kërkimin e ankimit.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, vendosi të shtyjë seancën për në datën 13.10.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.