7.10.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 286, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Genti Shala, magjistrat/gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, paraqiti konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, z. Florian Ballhysa, ushtrues i ankimit.

Komisioneri Publik parashtroi se, nga shqyrtimi i akteve të administruara nga trupi gjykues, në funksion të hetimit të dy çështjeve të referuara në ankim, konkretisht: një denoncimi anonim, administruar nga ONM-ja, në datën 10.11.2020 dhe një “kontrate huaje”, referuar Regjistrit të Veprimeve Noteriale të Ministrisë së Drejtësisë, konstatohet se pretendimet për pasuri të fshehur, nga ana e subjektit të rivlerësimit, rezultojnë të pambështetura në prova, si dhe akti noterial, me objekt huapërdorje automjeti, nuk ndikon në analizën financiare të vitit 2015.

Në përmbyllje të konkluzioneve përfundimtare, mbështetur në parashikimet e nenit F, pika 7 e aneksit të Kushtetutës, nenit 65, nenit 66, pika 1, germa “a”, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 286, datë 4.8.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Genti Shala.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrim të prapësimeve përfundimtare, kërkoi nga trupi gjykues të mos marrë në konsideratë denoncimin nga publiku, duke e cilësuar atë të rremë dhe të pabazuar në fakte, dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, për konfirmimin e tij në detyrë.

Palët shprehën qëndrimet e tyre edhe për një denoncim të ri, të administruar nga Kolegji, më datë 4.10.2021, për të cilin, trupi gjykues vendosi të mos hetojë, duke njoftuar njëkohësisht se tërhiqet në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në seancën e datës 11.10.2021, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF