13.10.2021
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, për të cilin bëri me dije se, përmes korrespondencës elektronike, ishte njoftuar për seancën.
Në vijim, pasi mori konfirmimin e Komisionerit Publik për të vazhduar seancën në mungesë të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe i kërkoi Komisionerit Publik paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisioneri Publik, në parashtrim të konkluzioneve përfundimtare, iu qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të vendosë prishjen e vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, dhe të urdhërojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të klasifikojë të papërfunduar procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Ibrahim Hoxha.
Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar më datë 14.10.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.