20.10.2021 

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), ish-prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot me detyrë Inspektore magjistrate pranë Njësisë së Inspektorëve në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në zbatim edhe të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), çmoi si të nevojshëm një hetim të plotë dhe të gjithanshëm nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me aktivitetin tregtar të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, si dhe  hetimin për konflikte interesi të mundshme të subjektit të rivlerësimit, në ushtrimin e detyrës së saj si prokurore. Në funksion të kërkimeve të tij, Komisioneri Publik vlerësoi se është e nevojshme që Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’u drejtohet institucioneve për dokumentimin e aktivitetit tregtar të personit të lidhur me subjektin e rivlerësimit, si dhe për të hetuar nëse subjekti i rivlerësimit është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, deklaroi se kishte konstatuar me keqardhje që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në arsyetimin e vendimit, nuk kishte përfshirë dokumentacionin që lidhej me aktivitetin tregtar të bashkëshortit të saj dhe i kërkoi trupit gjykues të depozitojë këtë dokumentacion, që ajo e kishte siguruar rishtazi, si dhe disa akte shtesë, lidhur me shkakun e ankimit për konflikte të mundshme interesi.

Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, i cili deklaroi se nuk e ka disponuar më parë dokumentacionin e sipërcituar, vendosi të riçelë hetimin gjyqësor, duke administruar në cilësinë e provës aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 26.10.2021, ora 10:00, për t’u shprehur lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik, për hetim të mëtejshëm të çështjes.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF