26.10.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot me detyrë Inspektore magjistrate pranë Njësisë së Inspektorëve në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës iu drejtua Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit, nëse do të parashtronin ose jo kërkesa paraprake, para se të shpallej vendimi i ndërmjetëm i trupit gjykues në lidhje me hetimin e mëtejshëm gjyqësor.

Komisioneri Publik referoi se, nga verifikimi i akteve, që u ishin vënë në dispozicion nga subjekti i rivlerësimit, në seancën paraardhëse, konstatohej se, lidhur me shkakun e ankimit për konflikt të mundshëm interesi, mungojnë të dhënat nga organi i Prokurorisë për dy shtetas, të cilët, në dokumentet e dorëzuara nga vetë subjekti i rivlerësimit, rezultojnë si kredidhënës të personit të lidhur me të (bashkëshortit të saj).

Subjekti i rivlerësimit shpjegoi se mungesa e dokumentacionit të referuar nga Komisioneri Publik, ishte shkak i mosrakordimit të duhur të akteve, duke u shprehur e gatshme t’i sigurojë  ato.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi dhe në seancë, vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për hetim të mëtejshëm të çështjes. Në referencë të shkaqeve të ankimit, si dhe çështjeve të verifikuara, kryesisht nga trupi gjykues, ky i fundit iu drejtua, me kërkimet përkatëse, disa institucioneve shtetërore dhe shoqërive tregtare.

Me qëllim dhënien kohë për administrimin e akteve nga ana e subjekteve të mësipërme, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 18.11.2021, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF