28.10.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrim të prapësimeve të saj.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, iu qëndroi shkaqeve të ankimit dhe, në analizë të tyre argumentoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik, në vlerësim edhe të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për të ushtruar ankim, i kërkoi trupit gjykues të marrë çështjen në shqyrtim dhe, në përfundim të një hetimi të plotë, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, i drejtoi fillimisht pyetje Komisionerit Publik për shkaqet e ankimit, që lidheshin kryesisht me kriterin e pasurisë dhe më pas vijoi me prapësimet e tyre. Ndërsa për shkaqet e ankimit, që lidhen me kriterin e aftësive profesionale, subjekti i rivlerësimit ngriti pretendimin se Komisioneri Publik nuk mund të ankimojë çështje që janë referuar për hetim disiplinor nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke informuar se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur një hetim disiplinor, të cilin e ka pezulluar në pritje të vendimit që Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të marrë për të pranuar ose jo këtë shkak ankimi.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të shtyjë seancën më datë 1.11.2021, ora 14:00, me qëllim që të njihet me qëndrimin e Komisionerit Publik lidhur me pretendimet e sipërcituara të subjektit të rivlerësimit.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF