9.11.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja, me detyrë gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Kryesuesja e seancës, pas verifikimit të prezencës së palëve, i ftoi ata në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, si dhe parashtrimeve me shkrim, të paraqitura në seancat gjyqësore, të zhvilluara në kuadër të këtij gjykimi, konstatoi se pretendimet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, bazuar edhe në Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 273, datë 10.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Alkelina Gazidedja.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, parashtroi kundërshtimet për shkaqet e ankimit, që lidheshin kryesisht me kriterin e pasurisë dhe, në formë të shkruar, depozitoi mbrojtjen e saj për shkaqet e lidhura me kriterin e aftësive profesionale.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, vendosi ta deklarojë të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi, për shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 23.11.2021, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF