18.11.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot me detyrë Inspektore magjistrate pranë Njësisë së Inspektorëve në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës informoi për mbërritjen e përgjigjeve nga institucionet dhe shoqëritë tregtare, të listuara në kërkesën e Kolegjit, në funksion të shkaqeve të ankimit, si dhe të çështjeve të verifikuara, kryesisht nga trupi gjykues.

Pasi palët konfirmuan se ishin njohur me dokumentet e mësipërme, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit për të vijuar me administrimin e tyre.

Komisioneri Publik u shpreh se, nga pikëpamja formale, nuk kishte kundërshtime, ndërsa subjekti i rivlerësimit kërkoi të depozitojë edhe disa prova të reja.

Pasi aktet e dorëzuara në seancë iu vunë në dispozicion Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi administrimin e tyre, së bashku me dokumentacionin e përcjellë nga institucionet dhe shoqëritë tregtare, dhe në vijim kërkoi qëndrimin e palëve rreth provueshmërisë së tyre.

Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin e tij me shkrim për aktet e administruara, duke i analizuar në raport me shkaqet e ankimit. Ndërsa për njërën nga korrespondencat e trupit me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, e cila iu përcoll në fillim të seancës gjyqësore, si dhe për  provat që u dorëzuan gjatë seancës nga subjekti i rivlerësimit, parashtroi mendimin e tij verbalisht, duke rezervuar të drejtën të shprehet edhe në bisedimet përfundimtare, për shkak të materialit voluminoz që duhet të shqyrtohet.

Pas shpjegimeve të subjektit të rivlerësimit, lidhur me pyetjet e drejtuara nga anëtarët e trupit gjykues, ky i fundit, i këshilluar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare më datë 2.12.2021, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF