2.12.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 332, datë 12.1.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot me detyrë Inspektore magjistrate pranë Njësisë së Inspektorëve në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, pasi parashtroi përfundimet e arritura nga hetimi gjyqësor i çështjes, kërkoi nga Kolegji ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 332, datë 12.1.2021, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Lindita Male (Ziguri), bazuar në pikat 3 dhe 5, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrimet e saj, pretendoi të kundërtën e konkluzioneve të Komisionerit Publik, duke kërkuar nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi konkluzionet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit përfundimtar, në seancën e datës 6.12.2021, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF