25.1.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 224, datë 20.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Kalaja, me funksion magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se subjekti i rivlerësimit dhe Komisioneri Publik kishin depozituar, paraprakisht, në datën 7.1.2022, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, parashtrimet dhe prapësimet e tyre me shkrim.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi për shqyrtim para trupit gjykues, çështje që lidhen me deklarimin e pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kontrollin e kriterit të pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, në parashtrim të prapësimeve të tij, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke u shprehur për faktin se interpretimi ligjor, mbi provueshmërinë e akteve të administruara gjatë hetimit administrativ në Komision, është i drejtë, nisur nga specifikat e rastit konkret.

Pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të administrojë, në cilësinë e provës, aktet e paraqitura rishtazi nga subjekti i rivlerësimit, duke konstatuar, njëkohësisht, se përmbajtja e tyre ishte marrë ndërkohë në shqyrtim nga ana e Komisionit në dhënien e vendimit përkatës.

Pasi palët pjesëmarrëse në gjykim u shprehën se nuk kishin akte të tjera apo kërkesa procedurale për t’u administruar e paraqitur për efekt të këtij gjykimi, trupi gjykues deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët për t’u shprehur për bisedimet e tyre përfundimtare.

Komisioneri Publik iu qëndroi shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të paraqitura në seancë gjyqësore, duke nënvizuar qëndrimin e tij për interpretimin e ndryshëm ligjor që ndan, në lidhje me përfundimet e arritura nga Komisioni, në rivlerësimin e kriterit të pasurisë, për subjektin e rivlerësimit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor, po ashtu, u qëndruan prapësimeve të paraqitura në seancën gjyqësore, duke pretenduar se interpretimi ligjor i përdorur nga ana e Komisionit në rastin konkret, mbi provat e administruara gjatë hetimit administrativ, është i drejtë dhe, në këto kushte, ky vendim duhet të lihej në fuqi.

Pasi administroi bisedimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për dhënien e vendimit përfundimtar, që do të shpallet në seancën e datës 27.1.2022, ora 13.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF