31.3.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e vëzhguesit ndërkombëtar dhe bëri më dije se edhe Komisioneri Publik, z. Darjel Sina, ushtrues i ankimit, kishte njoftuar Kolegjin, për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në seancën e sotme gjyqësore.
Pas qëndrimit të Komisionerit Publik z. Florian Ballhysa, dhe subjektit të rivlerësimit për ta lënë në çmimin e gjykatës zhvillimin ose jo të seancës së sotme, trupi gjykues, pas konsultimit me vëzhguesin ndërkombëtar, njoftoi se ai e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte kohë shtesë për t’u njohur me parashtrimet e Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit, të depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 5.4.2022, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF