31.3.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, në vijim të seancës së djeshme, avokati i subjektit të rivlerësimit paraqiti qëndrimin e tij lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke pretenduar se nuk i përmbushin kriteret për t’u pranuar në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Ndërsa subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, vijoi me prapësimet për të tria kriteret e vlerësimit referuar shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit të pranojë, në cilësinë e provës, të gjitha aktet e referuara prej saj në mbështetje të pretendimeve të ngritura.

Në vijim, Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve të avokatit të subjektit të rivlerësimit lidhur me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke deklaruar se përfshirja e gjetjeve të tyre, si provë në ankim, bazohet në nenin “B” të aneksit të Kushtetutës, si dhe në pikën 10, të nenit 49, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Procesi gjyqësor vijoi me një seancë pyetje-përgjigjesh mes vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe subjektit të rivlerësimit, lidhur me kriterin e pasurisë dhe atë të figurës.

Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ta shtyjë atë për ditën e nesërme, më datë 1.4.2022, ora 11:00, ku do të vijohet me përgjigjet e disa pyetjeve të tjera, drejtuar Komisionerit Publik, të cilat subjekti i rivlerësimit dhe avokati i depozituan para përfundimit të seancës së sotme gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF