1.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve që subjekti i rivlerësimit dhe avokati i depozituan para përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore, të cilat  lidheshin me gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, përmbylli prapësimet e saj për të tria kriteret e vlerësimit, referuar shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit:

– Riçeljen e hetimit, duke marrë në cilësinë e provës aktet në fashikullin e depozituar në Kolegj, si dhe aktet e reja, të referuara prej saj në mbështetje të pretendimeve të ngritura.

– T’u drejtohet institucioneve përkatëse për marrjen e informacioneve shtesë të nevojshme, si dhe thirrjen e dëshmitarëve, në kuadër të një hetimi të plotë dhe të thelluar.

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi parashtrimet e palëve, trupi gjykues u tërhoq për t’u konsultuar lidhur me kërkesat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, për të cilat do të shprehet në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 12.4.2022, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF