5.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit.

Duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në mbështetje të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik kërkoi çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimeve të ankimit dhe parashtrimeve në seancën e sotme gjyqësore.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe, në prapësim të tyre, kërkoi që krahas akteve, të cilat ndodhen në fashikullin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të depozitonte edhe prova të reja, që lidheshin me pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku.

Pas përgjigjeve të subjektit të rivlerësimit, lidhur me pyetjet e drejtuara nga vëzhguesi ndërkombëtar, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin për të pranuar provat e depozituara në Kolegj, si dhe të kryejë analizën financiare të kërkuar nga Komisioneri Publik. Lidhur me denoncimet, trupi gjykues njoftoi se do të shprehet në seancën e radhës, që do të mbahet më datë 6.5.2022, ora 9:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF