12.4.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se trupi gjykues, pas konsultimit lidhur me kërkesat e subjektit të rivlerësimit, të parashtruara në seancën e mëparshme, vendosi:
- Riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve të reja të depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit, sipas përcaktimeve të bëra prej saj në seancën e datës 1.4.2022.
- Marrjen si provë të pohimeve gjyqësore të subjektit të rivlerësimit gjatë seancave në Kolegj.
- Aktet e përcjella nga subjekti i rivlerësimit, të cilat gjenden edhe në fashikullin e përcjellë nga Komisioni, nuk do të konsiderohen si prova të reja, por do të analizohen në cilësinë e akteve që gjenden në fashikull e që i janë nënshtruar edhe vlerësimit të Komisionit.
Sa i përket kërkesës për thirrjen e dëshmitarëve, trupi gjykues vendosi:
- Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrje dëshmitarësh, për të provuar fakte që lidhen me kriterin e figurës dhe të pasurisë, pasi dëshmia e tyre, parë nën dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa “a” dhe “c”, është e panevojshme, në kushtet kur aktet në fashikull përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm për vendimmarrje apo lidhur me faktet që kërkohet të provohen.
- Të mos pranohet kërkesa e subjektit të rivlerësimit për thirrje dëshmitarësh, dëshmia e të cilëve, parë nën dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa “b”, rezulton e parëndësishme për zgjidhjen e çështjes.
- Të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për thirrjen e një eksperti, pasi është kërkesë e palejueshme, nën dritën e dispozitave të nenit 225 dhe vijues të K. P. C., dhe nenit 49, pika 6 e ligjit nr. 84/2016.
- Të mos kërkojë kopje të fashikujve të hetimit, të zhvilluar mbi bazën e kallëzimeve penale, të ushtruara nga subjekti i rivlerësimit, pasi, parë nën dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa “a” dhe “b” e ligjit nr. 84/2016, marrja e këtyre akteve dhe rezultati i këtyre procedimeve është i panevojshëm në funksion të zgjidhjes së çështjes; kur aktet në fashikull përmbajnë dokumentacion të mjaftueshëm për vendimmarrje ose kur janë të parëndësishme për procesin që kryhet në Kolegj.
- Të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për t’i kërkuar informacione shtesë Bashkisë Tiranë, pasi, bazuar në nenin 49, pika 6, germa “b”, fakti që kërkohet të provohet, është i parëndësishëm, në kushtet kur del jashtë kufijve të shkaqeve të ankimit.
- Të mos pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të dëgjuar në seancë publike regjistrimin audio të një seance dëgjimore të zhvilluar në Komision, pasi, nën dritën e dispozitave të nenit 49, pika 6, germa “c”, mjeti i provës është tërësisht i papërshtatshëm.
Trupi gjykues vendosi të mos hetohet më tej lidhur me denoncimet e mbërritura në Kolegj, pasi rrethanat e dëshmuara në to nuk përmbushin kriteret e nenit 53, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, për shkaqe të cilat mund të krijojnë bindje për shkelje ligjore.
Trupi gjykues vërejti se gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, në zbatim të nenit b, pika 3/b e aneksit të Kushtetutës dhe nenit 49, pika 10, të ligjit nr. 84/2016, përbëjnë provë në vetvete dhe, si të tilla, do t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor së bashku me dokumentet e tyre mbështetëse.
Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik lidhur me aktet dhe provat e administruara në funksion të hetimit gjyqësor.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar parashtrimeve dhe qëndrimeve të paraqitura në seancat paraardhëse, edhe lidhur me vlerën e provës që i njeh ligji gjetjes, u shpreh se, sikundër trupi gjykues vendosi, gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë përbëjnë provë dhe duhet t’i nënshtrohen gjykimit të trupit gjykues.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Duke marrë parasysh edhe kërkesën e avokatit të subjektit të rivlerësimit, për kohë shtesë, në funksion të përgatitjes me shkrim të konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 20.4.2022, ora 13.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.