13.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Atalanta Zeqiraj, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit kërkoi të përfaqësohej në gjykim edhe me përfaqësues ligjor dhe më pas seanca vijoi me parashtrimet e shkaqeve të ankimit nga Komisioneri Publik dhe me parashtrimet e prapësimeve nga ana e subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerësoi se, nisur nga përmbajtja e arsyetimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ngrihen disa çështje për zgjidhje dhe orientim, të cilat mund të kenë rëndësi dhe për njësimin dhe vlerësimin e rasteve të ngjashme, e për këtë arsye, çmoi të nevojshme që shqyrtimi dhe zgjidhja e këtij rasti të kryhet nga Kolegji dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendoset në mënyrë alternative lënia në fuqi ose ndryshimi i vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,  për subjektin e rivlerësimit,  znj. Atalanta Zeqiraj.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi riçeljen e hetimit, administrimin e provave të reja dhe rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë marrjen e provave të reja, të depozituara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, kryesuesi i seancës, pasi pyeti palët nëse kishin apo jo kërkesa të tjera procedurale në funksion të shqyrtimit të çështjes, njoftoi se trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe shtyrjen e seancës për në datën 13.5.2022, ora 9.00, për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF