26.4.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Banushi, me detyrë gjyqtar/kryetar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe i ftoi që t’i paraqesin pretendimet e tyre edhe në seancën publike.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit t’i marrë ato në konsideratë dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, prapësoi shkaqet e ankimit, duke kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeljen e hetimit gjyqësor, administrimin e provave të reja dhe konfirmimin në detyrë.

Me kërkesë të trupit gjykues, Komisioneri Publik dha qëndrimin e tij edhe për denoncimet nga publiku, për të cilat u shpreh se nuk përbajnë fakte dhe rrethana për shkelje ligjore.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe prapësimit e subjektit të rivlerësimit, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor, administrimin e provave të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, si dhe t’i kërkojë Komisionerit Publik kryerjen e analizës financiare për vitet 2003-2016 dhe dorëzimin e saj në Kolegj në datën 10.5.2022. Trupi gjykues vendosi në dispozicion të palëve edhe një denoncim të mbërritur para fillimit të seancës.

Për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit për t’u njohur me analizën financiare, që do të kryhet nga Komisioneri Publik, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën  20.5.2022, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF