4.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri të njohur Opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, në lidhje me nevojën që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të shqyrtonte mundësinë e bashkimit të proceseve të rivlerësimit të subjekteve të rivlerësimit, znj. Elbana Lluri dhe z. Gerd Hoxha.

Në vijim, me kërkesë të kryesueses së trupit gjykues, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit dhanë qëndrimet e tyre mbi Opinionin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Trupi gjykues, pas konsultimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet që ndodhen në fashikullin e vendimit të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë, si dhe aktet e reja, që ai ka dorëzuar në Kolegj gjatë shqyrtimit gjyqësor, për këtë kriter vlerësimi.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve mbi vendimin e ndërmjetëm të sipërcituar, vendosi të shtyjë seancën më datë 25.5.2022, ora 9:00, për t’u dhënë kohë të njihen me aktet e reja.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF