13.5.202

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Atalanta Zeqiraj, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës bëri me dije se znj. Irena Nino, e zgjedhur Komisioner Publik, në bazë të aktit të nxjerrë nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, do të zëvendësojë Komisionerin Publik ushtrues të ankimit, z. Darjel Sina.

Seanca vijoi më pas me parashtrimet e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, vlerësoi se, pas shqyrtimit gjyqësor të të gjitha kërkimeve dhe prapësimeve të palëve, si dhe të provave të administruara, duke mbajtur në konsideratë edhe jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, çdo gjykim eventual nga ana e kësaj Trupe për lënien në fuqi të vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do të ishte një përfundim i bazuar dhe logjik, por sërish vlerësojmë se do të duhet të jetë me një arsyetim të ndryshëm.

Referuar shkaqeve të ankimit dhe të Rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik çmoi se arsyetimi i ndryshëm në këtë rast do të ishte i nevojshëm dhe do të ndihmonte si orientim për raste të ngjashme, lidhur me faktin, nëse parimi i proporcionalitetit, i zbatuar nga Komisioni në vendimin objekt shqyrtimi gjyqësor, është në përputhje me standardet ekzistuese, të arsyetuara në jurisprudencën e Kolegjit.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë bisedimeve përfundimtare, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 410, datë 30.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e saj në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për vendimin përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.5.2022, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF