19.5.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.
Komisioneri Publik iu përgjigj pyetjeve sqaruese lidhur me ankimin, që relatorja e çështjes drejtoi gjatë seancës së mëparshme, të datës 28.4.2022.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit për të tria kriteret e vlerësimit, duke pretenduar se janë të pabazuara dhe të pambështetura në ligj dhe në prova. Ajo i mbështeti këto pretendime në disa akte të paraqitura, për një pjesë të të cilave deklaroi se do të kërkonte ose jo marrjen si provë nga trupi gjykues, në varësi të qëndrimit pasues, që Komisioneri Publik do të mbante pas njohjes me to.
Pasi Komisioneri Publik u shpreh se iu qëndron shkaqeve të parashtruara në fillim të seancës, me kërkesë të kryesuesit të seancës për qartësimin e momentit procedural, subjekti i rivlerësimit listoi aktet, që kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Për pjesën tjetër të akteve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se do të shprehet pasi Kolegji të mbajë qëndrim lidhur me çeljen ose jo të hetimit mbi çështjen.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 6.6.2022, ora 10:00, me qëllim që të vendosë lidhur me mënyrën e vazhdimit të gjykimit të kësaj çështjeje.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.