20.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Banushi, me detyrë gjyqtar/kryetar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij depozituan prapësime shtesë lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Komisioneri Publik, duke pretenduar se kjo analizë ishte e paplotë, e gabuar dhe në të nuk përfshihej apo trajtohej asnjë e dhënë e paraqitur në prapësimet e subjektit të rivlerësimit.

Lidhur me denoncimin e ri, të depozituar në Kolegj ditën e seancës së mëparshme gjyqësore, më 26 prill 2022, subjekti i rivlerësimit deklaroi se bëhej fjalë për një denoncim të përsëritur, lidhur me të cilin Kolegji ishte shprehur me vendim të ndërmjetëm se: “lidhur me denoncimet nuk u gjendën fakte dhe rrethana të vlefshme për hetime të mëtejshme”.

Në vijim, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit iu përgjigjën disa pyetjeve sqaruese rreth çështjes, të drejtuara nga gjyqtarja relatore.

Bashkëlidhur përgjigjes, lidhur me pyetjen e relatores rreth metodologjisë që ishte përdorur për përgatitjen e analizës financiare, Komisioneri Publik depozitoi pranë trupit gjykues një shkresë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) mbi metodologjinë e llogaritjes së shpenzimeve të jetesës, të cilën trupi gjykues vendosi ta pranojë në cilësinë e provës.

Pasi kjo provë iu vu në dispozicion subjektit të rivlerësimit, avokati kërkoi kohë për të analizuar dokumentin dhe për të përgatitur qëndrimin lidhur me të.

Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 27.5.2022, ora 9:00. Gjatë kësaj seance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF