26.5.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Irena Gjoka, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, sot Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, kërkoi që ato të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Irena Gjoka.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e saj ligjore, në prapësim të shkaqeve të ankimit, depozituan prova të reja, për të cilat kërkuan të administrohen në funksion të kërkesës për riçeljen e hetimit gjyqësor.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e reja të depozituara në Kolegj, nga ana e subjektit të rivlerësimit, të cilat nuk janë administruar më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Në vijim, pasi Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesuesit të seancës, u shpreh se qëndrimin rreth vlerës provuese të akteve të administruara në Kolegj do ta jepte gjatë konkluzioneve përfundimtare dhe, pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën më datë 31.5.2022, ora 14:00, për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF