9.6.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët ishin njohur me aktet e vendimit të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, që lidhen me kriterin e pasurisë, dhe i ftoi të shprehin qëndrimet e tyre rreth analizës paraprake financiare, të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Komisioneri Publik u shpreh se analiza paraprake financiare, e kryer nga Kolegji, reflekton kërkimet e ankimit dhe se qëndrimin e tij rreth saj do ta paraqiste gjatë bisedimeve përfundimtare.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë qëndrimit të saj, mbi analizën financiare, i kërkoi trupit gjykues të merrte në konsideratë prapësimet e saj dhe të administronte në cilësinë e provës edhe një akt të ri, që lidhej me të ardhurat e prindërve të saj.
Pas pyetjeve të drejtuara nga gjyqtarja relatore, trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktin e dorëzuar në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe njoftoi se lidhur me denoncimet nuk do të hetojë, pasi ato nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 53 të ligjit nr. 84/2016.
Pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 22.6.2022, ora 10:00, për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.